SPAK rrëzon kallëzimin e Partis Demokratike: S’ka prova ndaj Zegjine Çaushit për korrupsion zgjedhor.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur mosfillimin e procedimit penal ndaj kandidates së Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Zegjine Çaushi, pas kallëzimit të depozituar nga Flamur Noka në emër të Partisë Demokratike.

Në kallëzim, PD pretendonte se Çaushi ishte përfshirë në korrupsion zgjedhor, kanosje të pjesëmarrësve në zgjedhje, shpërdorim detyre dhe përdorim të funksionit publik. Por, pas shqyrtimit të materialeve të dorëzuara, përfshirë dhe pamjet filmike të marra nga një emision televiziv pranë familjes së Sali Berishës, SPAK ka konstatuar se mungojnë provat që vërtetojnë konsumimin e ndonjë vepre penale.

Në vendimin e firmosur nga kreu i SPAK, Altin Dumani, dhe i marrë nga prokurori i çështjes, Sotir Kllapi, theksohet se “nuk provohet se Zegjine Çaushi ka kërkuar vota për Partinë Socialiste apo ka konsumuar veprën penale të korrupsionit pasiv në zgjedhje”.

SPAK sqaroi se fakti penal i pretenduar nuk ekziston dhe për këtë arsye nuk ka bazë ligjore për të nisur hetime.

Ky vendim konsiderohet si një goditje për pretendimet e Partisë Demokratike, e cila e kishte ngritur çështjen si një rast të rëndë të shkeljes së rregullave zgjedhore.