Makina godet këmbësorët në Gjermani, lëndohen disa persona

Disa njerëz janë lënduar në qytetin jugperëndimor të Gjermanisë, Shtutgart, pasi njëmakinë u përplas në një grup këmbësorësh, njoftuan autoritetet të premten. Shoferi i makinës u arrestua në vendngjarje, sipas autoriteteve.

Policia tha në X se “tani për tani nuk ka asnjë provë se ky ishte sulm, apo akt i qëllimshëm” dhe se të gjitha të dhënat deri më tani tregojnë se ka qenë një “aksident tragjik rrugor”.

Policia tha se ngjarja ndodhi në një stacion mbitokësor të metrosë në qendër të Shtutgartit.

Shoferi i makinës ‘Mercedes’ me ngjyrë të zezë që u përfshi në këtë aksident, u arrestua, tha një zëdhënës i policisë, sipas agjencisë së lajmeve DPA. Autoritetet gjermane e kanë nisur një hetim për rastin dhe e kanë rrethuar zonën .

Policia është duke i marrë në pyetje dëshmitarët e rastit, ndërsa shërbimet e metrosë në atë pjesë të qytetit janë pezulluar.