Qeveria shtyn sërish afatet e aplikimeve për stacionet e plazheve

Qeveria ka vendosur të shtyjë afatin e aplikimeve për shfrytëzimin e stacioneve të plazheve nga subjektet.Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave.

Me ndryshimet e fundit në mars të këtij viti ishte parashikuar se përjashtimisht, për vitin 2025, afati kohor për lidhjen e kontratave të qirasë për përdorimin e stacionit të plazheve, do të ishte deri në datën 31 maj.

Gjithashtu përjashtimisht, për vitin 2025, afati kohor për fazën e dytë të aplikimit të subjektit, do të ishte brenda datës 30 prill.

Të dyja këto afate zëvendësohen me afatin e ri që tashmë është fundi i muajit qershor 2025. Ndryshimet ligjore do të hyjnë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

Të drejtën për të përdorur hapësirën e plazhit e kanë subjektet private që janë të kategorizuara si: “Bujtinë, Fjetinë (Hostel), Hotel, Resort, Qendër kurative, Fjetje dhe mëngjes, Apartament/vilë”, që kanë jo më pak se 5 dhoma dhe “Bllok apartamentesh”, që janë dy ose më shumë apartamente në të njëjtën vendndodhje dhe menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik, që kanë jo më pak se 5 dhoma.

Faza e parë është ajo e aplikimit dhe dorëzimit të dokumentacionit, ndërsa në të dytën saktësohet aplikimi, gjenerohet mandati i pagesës dhe caktohet planvendosja përkatëse të stacionit të plazhit.

Qeveria këtë herë ka premtuar se do të monitorojë me rigorozitet zbatimin e ligjin si edhe ndarjen e hapësirave, ku të paktën 30% e tyre duhet të jenë të lira, pa shezllone, për plazhet publike. Gjithsesi, përgjegjësia kryesore për këtë bie mbi bashkitë