ÇFARË NDODHI ME MONEDHAT? Mbiçmimi i lekut ndaj valutave u ngadalësua në fund të 2024-ës

Leku u mbiçmua kundrejt valutave kryesore, por masa dhe  shpejtësia e mbiçmimit ishte më e ulët, në gjysmën e dytë të vitit 2024 dhe në vijim.

Banka e Shqipërisë, bën të ditur në raportin e publikuar së fundi mbi Stabilitetin Financiar, se mbiçmimi i lekut ishte me i dukshëm në muajt që pasuan sezonin veror, në vijim të flukseve të rritura valutore prej  turizmit.

Ndërsa në muajin nëntor, kursi mesatar i këmbimit të euros shënoi nivelin më të ulët  historik prej 98,2 lekësh.

Në fund  të periudhës, leku ishte mbiçmuar me  rreth 4% ndaj Euros në terma vjetorë, kundrejt 6% dhe 11% përkatësisht gjashtë muaj dhe një vit më parë.

Ecuri të ngjashme me euron ka regjistruar dhe dollari amerikan.

Në muajin shtator nje dollar këmbehej mesatarisht me 89,4  lekë, i cili ishte niveli mesatar më i ulët në 15 vjetet e fundit. Drejt fundit të vitit, në vijim të zhvillimeve politike në  SHBA, dollari amerikan u forcua gradualisht, derisa në muajin dhjetor u kuotua me  mesatarisht  93,9  lekë.

Banka e Shqipërisë ka vijuar të kryejë ndërhyrje në tregun valutor përmes ankandeve për blerjen e valutës, me objektiv rritjen e  rezervës valutore  dhe për të zbutur ritmin e mbiçmimit të monedhës vendase, teksa edhe gjatë këtij viti kursi i këmbimit vijon të reflektoj qendrueshmëri me luahtje të lehta të lekut ndaj valutave.

Dollari amerikan këmbehet sot me 86,96 lekë dhe euro 98,75 lekë.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
26 Prill, 16:39 | Përditësimi: 26 Prill, 16:39