
Prej më shumë se dy muajsh, banorët e lagjes Çerven në fshatin Kafaraj, Njësia Administrative Frakull, Bashkia Fier, përballen me një problem të madh: çarja e tubacioneve të ujit të pijshëm. Pavarësisht ankesave të përsëritura nga banorët, defekti nuk është riparuar, duke e lënë situatën të përkeqësohet dita-ditës.
Uji vazhdon të rrjedhë në sipërfaqe, duke krijuar një mjedis të papërshtatshëm dhe të rrezikshëm për shëndetin e komunitetit lokal. Banorët shprehen të revoltuar dhe të zhgënjyer nga mungesa e përgjigjes nga institucionet përgjegjëse, veçanërisht ndërmarrja Ujësjellës-Kanalizime Fier, e cila deri më tani nuk ka marrë asnjë masë për të ndërhyrë dhe për të riparuar dëmtimin.
“Nuk është e pranueshme që për dy muaj të rrjedhë ujë në mes të lagjes dhe askush të mos reagojë,” – shprehet një prej banorëve. Ata theksojnë se do të detyrohen të përshkallëzojnë reagimin e tyre nëse problemi nuk zgjidhet menjëherë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe përgjegjësi nga institucionet lokale për t’i dhënë fund kësaj situate të papranueshme dhe për të siguruar furnizim të sigurt me ujë të pijshëm.