
Erion Braçe, deputet i Partisë Socialiste, ka denoncuar nëpërmjet një videoje një tjetër rast të zaptimit të hapësirave publike në Njësinë Administrative nr. 5, në Tiranë. Ai thekson se do të luftojë pa pushim për t’i mbrojtur këto hapësira.
Sipas tij, biznese të parkimeve dhe individë të ndryshëm po shpallin si prona të tyre tokat publike pranë Fakultetit Juridik, duke i kthyer ato në zona të uzurpuara, përmes bashkëpunimit të dyshimtë me institucione shtetërore.
Braçe bën thirrje për hetim të menjëhershëm, nga zona e ish-kinemasë “Agimi” deri tek Garda e Republikës, duke akuzuar zyrtarë të kohëve të ndryshme, gjykata dhe hipotekat për përfshirje në këtë krim urbanistik.
Statusi i plotë i Erion Braçes:
“Ditë-natë do mbroj hapësirën publike në njësinë time – 5-sen!
Këtu, mes pallateve në zonën pas Fakultetit Juridik, babëzia e biznesit të parkimeve ka mbërritur edhe këtu. Njërën pjesë e kanë marrë biznesmenët dhe thonë “është prona jonë”, tjetrën e kanë zaptuar dy gra të moshuara dhe të forta, që po ashtu pretendojnë pronësinë.
Pas meje ndodhet një truall me mbishkrimin “Gjelbërimi është jetë”, i cili është bërë gati për t’u marrë.
Nëse ka një krim që i përfshin të gjithë – zyrtarët e pronave, hipotekave, gjykatat – është pikërisht ky!
Kjo është një thirrje publike për çdo institucion hetimor: Hetoni nga pallatet “Agimi” deri te zona e Gardës se si është grabitur prona publike!
Unë do jem në krah për ta çuar këtë çështje deri në fund dhe për t’ua kthyer banorëve hapësirën publike