
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Plug të Lushnjes, ku një 66-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pas një sulmi me armë zjarri. Burime paraprake bëjnë me dije se i plagosur ka mbetur shtetasi F. Mane, rreth 66 vjeç, i cili është qëlluar me çifte nga persona ende të paidentifikuar, ndërsa ndodhej brenda stanit të bagëtive, ku po bënte roje nate.Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Njoftim i Policisë Fier: Lushnjë
Qëlloi me armë gjahu, pronarin e ambientit ku shkoi për të vjedhur gjatë natës, identifikohet dhe kapet 65-vjeçari.
Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit F. M., 66 vjeç, se gjatë natës, sapo një shtetas kishte hyrë për të vjedhur në kasollen në pronësi të tij, ai e kishte konstatuar dhe gjatë konfliktit me të, autori i tentativës për vjedhje e kishte qëlluar me armë gjahu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë organizuar punën për kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, u identifikua dhe u kap autori i dyshuar i rastit, shtetasi D. D., 65 vjeç.
I dëmtuari, shtetasi F. M., ka marrë asistencë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.