Jorgo Goro sërish në gjyq për shpërdorim detyre

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar pranë Gjykatës së Posaçme kërkesën për dërgimin në gjyq të ish-kryetarit të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, dhe dy zyrtarëve të tjerë vendorë, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim.

Sipas SPAK, hetimet në kuadër të procedimit penal nr.127 të vitit 2024, i bashkuar me dosjen më të vjetër nr.298 të vitit 2021, kanë zbuluar shkelje të rënda në procesin e trajtimit të kërkesave për kalimin e tokës bujqësore në pronësi. Goro, në bashkëpunim me ish-drejtorët e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Himarë, Vasillaq Strakosha dhe Jerasimo Bashi, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.171/2014 dhe aktet përkatëse nënligjore që rregullojnë kalimin e tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve.

Në kërkesën e dorëzuar, SPAK akuzon ish-kryebashkiakun Goro për “Shpërdorim detyre”, më shumë se një herë dhe në bashkëpunim, vepër e parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Strakoshën dhe Bashin, gjithashtu për veprime të përsëritura dhe në bashkëpunim.

Në thelb të akuzës qëndron fakti se Goro dhe vartësit e tij kanë shkelur detyrimet ligjore gjatë shqyrtimit të kërkesave për tokë bujqësore, duke dëmtuar disa qytetarë rezidentë në Himarë. Veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë cenuar procedurat e përcaktuara në VKM nr.253/2013 dhe VKM nr.337/2015, si dhe në ligjin nr.9948/2008 për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë.

Kjo nuk është hera e parë që Jorgo Goro përballet me drejtësinë. Më herët, ai është dënuar nga GJKKO me 2 vite e 20 ditë burg për shpërdorim detyre, pasi kishte lehtësuar tjetërsimin e një sipërfaqeje toke shtetërore prej 10 mijë metrash katrorë në favor të një personi në kërkim, Stavri Mëhillit. Më pas, kjo tokë u shit te një shoqëri private, përfaqësuar nga ish-deputeti Artan Gaçi, bashkëshorti i ministres socialiste Olta Xhaçka. Aktualisht, sipërfaqet janë të sekuestruara me vendim gjykate.

Me këtë dosje të re, SPAK zgjeron rrethin e përgjegjësisë penale të Goro-s, duke e thelluar përmasën e abuzimeve me tokat në jug të vendit – një çështje që ka ndezur debate të shumta edhe për shkak të përfshirjes së personazheve të lidhur me pushtetin.Njoftimi i plotë i SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën për dërgimin e çështjes në gjykim në ngarkim të ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goros i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, pas përfundimit të hetimeve në kuadër të procedimit penal nr.127 të vitit 2024, i unifikuar me procedimin penal nr. 298 të vitit 2021.

Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Jorgo Goro, në cilësinë e ish-Kryetarit të Bashkisë Himarë ka kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me nenin 17 të ligjit nr.9948/2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore”, i ndryshuar si dhe pikat 1,2,3 të VKM-së me Nr. 253, datë 6.3.2013 “Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore”, në dëm të disa shtetasve, banues në Bashkinë Himarë.

Bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi, analizën e rrethanave të faktit të provuara, dokumentacionin e administruar, pyetjet e dëshmitarëve arrihet në konkluzionin se; shtetasi Jorgo Goro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë në bashkëpunim me shtetasit Jerasimo Bashi dhe Vasillaq Strakosha, kanë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me ligjin Nr.171/2014 “Për Përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar, si dhe në kundërshtim me dispozitat e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.337, datë 22/04/2015 “Për përcaktimin e procedurave të kryerjes së procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish ndermarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve“, gjatë procesit të trajtimit të kërkesave të paraqitura.

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar drejtuar Gjykatës së Posaçme për dërgimin në gjyq në ngarkim të:

Jorgo Goro, ish- Kryetari i Bashkisë Himarë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, (më shume se një herë sipas fakteve penale të përshkruara ne akuzë) e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

Vasillaq Strakosha, ish-Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, (më shume se një herë sipas fakteve penale të përshkruara ne akuzë) e kryer ne bashkëpunim parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal (sipas fakteve penal të procedimin penal nr. 298 të vitit 2021 i bashkuar me procedimin penal nr 127/2024.

Jerasimo Bashi, ish-Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë, i akuzuar për kryerjen e veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, me shumë se nje here e kryer ne bashkepunim parashikuar nga neni 248 dhe 25 i K.Penal. (sipas fakteve penal të procedimin penal nr. 298 të vitit 2021 i bashkuar me procedimin penal nr 127/2024.

Më herët, për dy raste “shpërdorim detyre”, GJKKO dënoi me 2 vite e 20 ditë burg ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Sipas prokurorëve të Posaçëm, hetimet treguan se Goro përcolli pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një toke bujqësore pronë shtet, në favor të Stavri Mëhillit, në kërkim.

Pas kësaj procedure, toka u shit te një shoqëri private me përfaqësues ish-deputetin Artan Gaçin, bashkëshorti i deputetes socialist, Olta Xhaçka. Në total 10 mijë m2 tokë e tjetërsuar në 2 sipërfaqe të ndryshme, tashmë është e sekuestruar me vendim të GJKKO.