Rama në takim me gratë socialiste: Në 12 maj Shqipëria do zgjohet e mbuluar me ngjyrën rozë

Ka nisur takimi ”Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030” që po mbahet në TKOB nga Partia Socialiste e Shqipërisë. I pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij, kryesocialisti tha se në 12 maj, Shqipëria do të zgjohet e mbuluar me ngjyrën rozë, me ngjyrën e PS dhe ngjyrën e grave.

Rama vlerësoi rolin e gruas dhe vajzave në parti. Kryeministri nuk kurseu as batuta, duke thënë se nëse gratë do të largoheshin nga vendi për një muaj, burrat do të përfundonin me mjekër të gjatë e të palarë.

Rama: Në mëngjesin e 12 majit, Shqipëria do të gdhihet e gjitha, në çdo territor e mbuluar me rozë, që është ngjyra e grave, e vajzave dhe e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Dikur, PS ishte në një depresion pas humbjes dhe, në atë kohë, riktheu në pushtet bufin e kënetës. Atëherë nuk kishte asnjë grua, asnjë vajzë në organizatë. Ajo që e bënte edhe më dëshpërues takimin, ishte përgjigjja ndaj pyetjes sime: “Pse nuk ka asnjë grua në organizatë?” Përgjigjja ishte: “Po ku ka gra këtu tek ne?”

Unë vazhdoja me pyetjen: “Po ju kush ju ka pjellë? Po në shtëpi kush kujdeset për ju? Ju vetë për veten tuaj?” Imagjinoni pak sikur të gjitha gratë të iknin për një muaj nga Shqipëria. Ju siguroj që kur të ktheheshit, ky vend do të ishte me burra të palarë e me mjekra të gjata.

PS ka arritur të rrisë sistematikisht rolin e grave në Parti. Forumi Ekonomik Botëror e rendit Shqipërinë në vendin e 23 për progresin e bërë në të drejtat e grave.

Ne futëm edhe risinë e bashkëdrejtimit të një organizate nga një burrë dhe një grua. Kjo risi nuk është aq e bukur sa duket, sepse në jo pak raste ka justifikime të kota burrash për mosfunksionimin. Por, në tërësi, është një vlerë pozitive.