
Gjykata e Trevisos në Itali ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Rogert Shotën, autorin e dyshuar të vrasjes së Vladimir Topjanës, si dhe për babanë e tij, Pren Shotën. Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin italian Fontanafredda, ku 43-vjeçari Topjana u qëllua me dy plumba, një prej të cilëve në kokë, brenda lokalit “Bar Sporting Milan”.
Sipas hetimeve të para dhe burimeve nga mediat italiane, shkak i konfliktit mes dy familjeve dyshohet të ketë qenë një pronë në Shqipëri. Edhe pse Rogert Shota u dorëzua menjëherë pas krimit, ai nuk ka treguar motivin e saktë përpara gjykatës, duke u mjaftuar me deklarata spontane gjatë seancës gjyqësore.
Ndërkohë, 66-vjeçari Pren Shota ka mohuar të ketë qenë i pranishëm në momentin e debatit të parë që ndodhi në Sacile. Ai ka deklaruar se kishte planifikuar të ndiqte ndeshjen Roma–Juventus, por u lajmërua nga i biri pas incidentit të parë.
Pas incidentit në Sacile, babë e bir shkuan në një tjetër lokal në Fontanafredda, ku debati u përshkallëzua tragjikisht. Në momentin e përplasjes, thuhet se viktima e ka kafshuar autorin në vesh, çka ka çuar në përdorimin e armës nga ana e Rogert Shotës.
Hetimet e autoriteteve italiane janë ende në vijim, ndërsa dy të ndaluarit përballen me akuza të rënda për vrasje të qëllimshme dhe posedim armësh pa leje