SHBA, Gjermania dhe Britania: Presim koordinim dhe përparim në dialogun me Serbinë nga Qeveria e re e Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë dërguar një mesazh të qartë Qeverisë së re të Kosovës: nevojitet bashkëpunim, koordinim dhe përparim konkret në dialogun me Serbinë.

Këto vende, pjesë e grupit QUINT së bashku me Francën dhe Italinë, theksojnë pritjet e tyre për një angazhim të fortë të institucioneve të Kosovës në rrugën drejt stabilitetit rajonal dhe integrimit evropian.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Departamenti Amerikan i Shtetit u shpreh se SHBA-ja është e gatshme të punojë me qeverinë e re për të mbështetur paqen, sigurinë dhe zhvillimin demokratik të Kosovës.

Gjermania, nga ana tjetër, theksoi se pret që më 15 prill të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe të hapet rruga për formimin e qeverisë së re. Në deklaratën e saj, Ambasada gjermane kërkoi thellimin e bashkëpunimit dhe përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, duke theksuar se kjo është thelbësore për integrimin euroatlantik të vendit.

Mbretëria e Bashkuar gjithashtu kërkoi që qeveria e re të adresojë nevojat e të gjithë qytetarëve, përfshirë komunitetin serb, dhe të angazhohet fuqishëm në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë. Londra shprehu mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Një nga sfidat kryesore që mbetet për Kosovën është çështja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila shihet nga Perëndimi si thelbësore për ecjen përpara në dialog. Deri tani, qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka shprehur rezerva për këtë, duke paralajmëruar rreziqe ndaj sovranitetit të vendit.

Përballja me këtë presion ndërkombëtar do të jetë një nga provat e para të qeverisë së re, pas seancës konstituive të Kuvendit më 15 prill, ku pritet zgjedhja e drejtuesve të rinj dhe nisja e formimit të ekzekutivit