
Pas përplasjes fizike të publikuar në rrjetet sociale mes analistit Ilir Demaliaj dhe kryetarit të Partisë Konservatore, Kujtim Gjuzi, ka ardhur edhe reagimi i këtij të fundit.
Sipas Gjuzit, ngjarja ndodhi në hollin e një hoteli në Tiranë, ku ai ndodhej në një takim me kryetaren e degës së Tropojës, Sanije Hajdarmataj. Ai thotë se Demaliaj hyri papritur dhe nisi ta fyejë me fjalë të rënda, në praninë e zonjës Hajdarmataj.
“Isha me kryetaren e degës së Tropojës, po diskutonim në tavolinën tonë. Hyn Demaliaj në holl dhe filloi me fyerje dhe sharje, me fjalë burrash që nuk thuhen në sy të një gruaje,” u shpreh Gjuzi.
Ai shton se, ndonëse ndodhi një tentativë për përplasje fizike, ai zgjodhi të tërhiqej për të shmangur përshkallëzimin e situatës. “Më sulmoi, por u tërhoqa sepse nuk doja të merrja goditje. Doli dhe kryetarja përpara, ai nuk ndaloi. Më pas ika në holl, ndërhynë badigardët e Hotel Tirana dhe çdo gjë u shua,” tha Gjuzi.
Ai e konsideroi situatën si një provokim të qëllimshëm dhe theksoi se zgjodhi të ruajë qetësinë për të mos e çuar konfliktin më tej.