
Një nga shpendët më të rrallë të Evropës, pelikani kaçurrel, ka arritur të ndikojë në një vendim të rëndësishëm strategjik: tërheqjen e kompanisë gjermane “Flughafen München” dhe degës së saj “Munich Airport International” nga projekti i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Këto kompani kanë vendosur të mos jenë më pjesë e ndërtimit dhe operimit të aeroportit, duke u tërhequr zyrtarisht më 8 Prill 2025, gjatë një seance të Këshillit Bashkiak të Mynihut. Sipas dokumenteve zyrtare, vendimi është marrë pavarësisht se kompania nuk ka pasur rol në zgjedhjen e vendndodhjes së aeroportit.
Simboli i lagunës së Nartës, pelikani kaçurrel, bashkë me një peticion të nënshkruar nga rreth 600 qytetarë, ka qenë arsyeja kryesore e largimit të kompanisë gjermane, ndërsa Partia e Gjelbër në Mynih ka përshëndetur vendimin, duke theksuar nevojën për respektimin e standardeve të qëndrueshmërisë mjedisore.
Megjithatë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë të ditur se punimet për aeroportin nuk do të ndalojnë. Koncesionari do të vijojë me ndërtimin, i cili pritet të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Aktualisht, pjesa më e madhe e punimeve është realizuar.
Ky aeroport konsiderohet nga qeveria shqiptare si një ndër veprat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në jug të vendit. Kujtojmë se pelikani kaçurrel ka ndikuar edhe më parë në projektet infrastrukturore, siç ishte rasti i autostradës Levan–Vlorë, por pa arritur ta ndalojë ndërtimin e saj.