
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për përpjekje më të mëdha për të luftuarshpërthimin e fruthit, i cili ka prekur tashmë 58 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ku dy fëmijë kanë humbur jetën.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara, me seli në Gjenevë, theksoi se vaksina kundër fruthit është e sigurt dhe jashtëzakonisht efektive, duke i bërë thirrje shteteve të intensifikojnë masat për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.
Kate O’Brien, drejtoreshë e departamentit të vaksinave në OBSH, theksoi se fruthi është një nga viruset më ngjitëse dhe bëri apel për vaksinim të gjerë për të ndaluar shpërthimet. Ajo po ashtu shmangu komentet ndaj kritikave të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe sekretarit amerikan të Shëndetësisë, Robert Kennedy Jr., i njohur për qëndrimet e tij skeptike ndaj vaksinave. Kennedy është akuzuar se nuk ka bërë mjaftueshëm për të frenuar shpërthimin e fruthit, që ka epiqendrën në Teksas, ku janë regjistruar qindra raste.
O’Brien tha se, megjithatë, Shtetet e Bashkuara janë duke punuar për të vënë nën kontroll dhe për të ndaluar këtë shpërthim, por shtoi se nuk mund të thuhet që është bërë mjaftueshëm për sa kohë që shpërthimi vazhdon. Ajo theksoi gjithashtu se rënia e nivelit të vaksinimit, pjesërisht si pasojë e pengesave të shkaktuara nga pandemia e COVID-19, ka kontribuar në përhapjen e fruthit.“Vaksina kundër fruthit është një vaksinë jashtëzakonisht e sigurt dhe efektive,” theksoi O’Brien, duke ftuar individët dhe shtetet të bëjnë më shumë për të parandaluar këtë sëmundje vdekjeprurëse.