
Skulptura e njohur urbane “Peshkatari”, një nga simbolet më të dashura të qytetit të Durrësit, është dëmtuar për herë të tretë. Vepra ndodhet në shëtitoren “Taulantia”, pranë zonës së Sfinksit, ku çdo ditë frekuentohet nga qindra qytetarë dhe turistë. Këtë herë, veprës i janë dëmtuar krahët.
Skulptura, e realizuar nga artisti Dylber Neziri dhe vendosur pranë detit në vitin 2016, është restauruar dy herë në më pak se një vit, por duket se vandalizmi ndaj saj nuk ka të ndalur. Për fat të keq, “Peshkatari” nuk është i vetmi objekt arti i dëmtuar kohët e fundit.
Vetëm një muaj më parë, skulpturat e Tina Turner dhe John Lennon, pjesë e kompleksit artistik përgjatë të njëjtës shëtitore, u dëmtuan nga persona ende të paidentifikuar.
Këto raste po ngrejnë shqetësime serioze në komunitetin artistik dhe qytetar për mungesën e masave mbrojtëse dhe indiferencën institucionale ndaj artit publik. Arti në hapësirat urbane nuk është vetëm dekor, por një mënyrë për të ruajtur identitetin, historinë dhe shpirtin e një qyteti.
Për momentin nuk ka ende reagim zyrtar nga autoritetet vendore, ndërsa qytetarët shprehen të indinjuar dhe kërkojnë kamera sigurie e mbrojtje më të mirë për veprat publike.