
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi elektoral në Lushnjë, premtoi një rritje të ndjeshme të pagave dhe ulje të çmimeve të energjisë dhe ujit, në rast se merr një mandat qeverisës pas zgjedhjeve të 11 majit.
“Rroga mesatare do të shkojë në 1200 euro, ndërsa për mësuesit do të arrijë deri në 1500 euro,” deklaroi Berisha para mbështetësve të tij, duke shtuar se mësuesit shqiptarë do të paguhen më shumë se çdo koleg i tyre në rajonin e Ballkanit.
Në të njëjtën linjë, ai preku edhe çështjen e kostove të jetesës, duke premtuar çmime të reduktuara për energjinë dhe ujin: “Energjia do t’u shitet bizneseve me 8 lekë dhe familjarëve me 7 lekë, ndërsa tarifa e ujit të pijshëm do të përgjysmohet.”
Berisha vuri theksin edhe te bujqësia, duke u zotuar për mbështetje të vazhdueshme të prodhimeve bujqësore dhe mbrojtjen e tyre në çdo sezon.
Këto premtime vijnë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, ku PD synon të rikthehet në pushtet me një program të bazuar në rritjen ekonomike, uljen e barrës fiskale dhe rritjen e mirëqenies qytetare.