
Rreth 17,000 metra katrorë truall në zemër të Tiranës pritet të transformohen rrënjësisht, pas shpalljes së fituesit të konkursit ndërkombëtar për Masterplanin e Qendrës së kryeqytetit. Zona që ndodhet pas Muzeut Historik Kombëtar, përballë Bulevardit “Zogu I”, do të shembet pjesërisht për t’i hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi të ri kullash shumëkatëshe.
Në këtë zonë aktualisht ndodhen rreth 35 ndërtesa, përfshirë katër pallate deri në 9 kate, si dhe objekte publike me funksione kulturore dhe informuese, si Teatri Metropolitan dhe “Info-Point” i bashkisë. Të gjitha këto godina janë përfshirë në planin e shembjes.
Zona e përzgjedhur, e njohur edhe si “zona e ish-Cirkut” – truall që iu kthye pronarëve dhe u rrafshua në vitin 2021 – shtrihet mes universitetit jopublik “Albanian University” (ish-UFO) dhe gjimnazit “Sinan Tafaj”. Prej kohësh është konsideruar si një ndër hapësirat më të dëshiruara nga ndërtuesit, për shkak të pozicionit strategjik dhe zhvillimeve urbane të vazhdueshme në qendër të Tiranës.
Fitues i konkursit ndërkombëtar u shpall studioja franceze l’AUC, e cila propozoi ndërtimin e katër kullave të mëdha me funksione të përziera – rezidenciale, tregtare dhe hoteliere – përfshirë një kullë që do të arrijë mbi 150 metra lartësi. Në qendër të projektit është parashikuar ndërtimi i një pallati publik të quajtur “Palazzo Civico”, i cili do të përmbajë salla për teatër, kinema, ekspozita dhe aktivitete të tjera kulturore.
Juria e konkursit përbëhej nga emra të njohur të arkitekturës ndërkombëtare, si Xaveer De Geyter dhe Bjarne Mastenbroek, si dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare, përfshirë kryeministrin Edi Rama. Projekti i studios l’AUC u vlerësua për “qasjen skulpturore dhe poetike” që sjell në peizazhin urban të kryeqytetit.
Masterplani pritet të sjellë transformime të thella jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në funksionin dhe identitetin kulturor të një prej zonave më të rëndësishme të Tiranës. Megjithatë, ky zhvillim ka gjasa të ngjallë debat publik, veçanërisht për ndikimin që do të ketë në komunitet dhe trashëgiminë kulturore të qytetit.