
Partia Demokratike u është drejtuar shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit me një thirrje për ndihmë financiare, përmes një e-mail-i të bërë publik sot. Në mesazhin drejtuar votuesve të diasporës, PD e cilëson kontributin e tyre si “jetik” në përballjen me atë që e quajnë “narkoshtet”.
“Përballë kemi një makineri pushteti dhe paraje. Por me ndihmën tuaj, e vërteta dhe shpresa mund të fitojnë”, thuhet në e-mail. Më tej, PD kërkon që çdo mbështetje, sado e vogël, të konsiderohet si një “goditje ndaj narkoshtetit”.
Thirrja vjen vetëm tre ditë përpara nisjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, që PD i cilëson vendimtare për të ardhmen e vendit. Në e-mail theksohet se beteja politike është e pabarabartë, përballë një strukture që ka në dorë pushtetin dhe burimet financiare.
Thirrjet për donacione janë bërë më të shpeshta javët e fundit, ndërsa PD duket se po përpiqet të mobilizojë maksimalisht votuesit në emigracion – një grup me potencial të madh elektoral dhe mbështetje të vazhdueshme për forcat opozitare.