
Një nga figurat më të dashura të artit skenik shqiptar, Meliha Ferra, është ndarë nga jeta. Aktorja e njohur dhe një nga themelueset e estradës profesioniste të Vlorës u shua pas një jete të tërë të përkushtuar ndaj artit dhe kulturës.
Me guximin, talentin dhe përkushtimin e saj, Ferra hodhi themelet e artit skenik në qytetin bregdetar, duke sfiduar kohën dhe paragjykimet e epokës kur gratë kishin pak ose aspak vend në skenë. Ajo ishte një nga të parat që u ngjit në skenë me shfaqjen “Kalon turjela nëpër bucela”, duke hapur rrugën për artin e humorit dhe duke frymëzuar breza të tërë artistësh.
Ndarja e saj nga jeta ka lënë një boshllëk të madh te familjarët, komuniteti artistik dhe qytetarët e Vlorës, të cilët e kanë ndjekur dhe vlerësuar për dekada kontributin e saj të çmuar. Meliha Ferra do të kujtohet gjithmonë si një grua e guximshme, një aktore e shkëlqyer dhe një emër i paharruar i skenës shqiptare