
Në ambientet e GJKKO po vijon seanca gjyqësore për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, ku janë regjistruar përplasje të forta verbale mes të pandehurve.
Gjatë seancës, Xhulian Hoxha bëri një deklaratë të fortë, duke theksuar se vrasja e Oti Kilos nuk është porositur nga Suel Çela, siç ka deklaruar Nuredin Dumani, por sipas tij, ka qenë e urdhëruar nga Erjon Alibej. Sipas Hoxhës, arsyeja pas vrasjes ishte një marrëdhënie intime që Alibej kishte me bashkëshorten e viktimës.
“Në një moment tjetër do flas më shumë për këtë gjë,” u shpreh Hoxha në sallë,
Deklarata shkaktoi tension në sallën e gjyqit, ku nuk munguan përplasjet mes Hoxhës dhe Alibejt.
“Kam marrë burg përjetë për fjalët e tua. Ty çfarë të dogji nga ajo që thashë unë?” i tha Hoxha Alibejt.
Nga ana tjetër, Alibej reagoi duke kërkuar durim nga mediat dhe duke shtuar: “Do dëgjoni jo vetëm për Suel Çelën, por edhe për shumë të tjerë. Janë thënë shumë trillime dhe të pavërteta. Do sqarohen të gjitha në kohën e duhur.”
Seancat për dosjen “Plumbi i Artë” pritet të vijojnë me deklarata të tjera nga të pandehurit dhe të penduarit e drejtësisë.