
Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, mbërriti sot në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, pas nënshkrimit të marrëveshjes për financimin e hekurudhës Durrës–Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, nuk munguan batutat mes dy zyrtarëve.
Rama u shpreh:
“Shumë faleminderit edhe njëherë për vizitën tënde. Është një vizitë pak e çuditshme për ne, midis diellit dhe të ftohtit. Ne kishim diellin dhe ti solle të ftohtin nga Brukseli, por të jesh e bindur që herën tjetër do të kesh vetëm diell.”
Kallas iu përgjigj me humor:
“Brukseli nuk kishte të ftohtë, kështu që ndoshta ka ardhur nga Veriu…”
Ajo vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë në përputhje me politikat e BE-së:
“Vendimi juaj për të zbatuar plotësisht sanksionet e BE-së kundër Rusisë, së bashku me mbështetjen humanitare që i keni dhënë Ukrainës, tregon vlerat tuaja për BE-në. Ju jeni të vlefshëm dhe të dobishëm për bashkëpunimin në rajon.”
Kallas theksoi gjithashtu përkushtimin e BE-së ndaj Shqipërisë dhe rëndësinë e marrëveshjeve të nënshkruara:
“Një nga angazhimet e para që kam pasur ka qenë nënshkrimi për sigurinë dhe mbrojtjen. Ky është një hap i rëndësishëm. Ne duam ta forcojmë bashkëpunimin në fusha të reja të sigurisë.