
Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me kompaninë shtetërore IdentiTek Sh.A, ka prezantuar disa ndryshime të rëndësishme që synojnë të lehtësojnë procesin e pajisjes me dokumente biometrike për qytetarët shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.
Ndër risitë kryesore është eliminimi i nevojës për të blerë kuponin në sportelet e Postës. Qytetarët tashmë mund të kryejnë pagesën për kuponin online, duke shmangur radhët dhe vonesat në sportele.
Gjithashtu, është vënë në dispozicion edhe një shërbim i përshpejtuar për prodhimin e kartave të identitetit, që realizohet brenda 1 deri në 3 ditë pune.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, gjatë një vizite në një nga zyrat e aplikimit, theksoi se këto ndryshime përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve publike. Aplikimi për kuponin dhe për dokumentin përkatës mund të bëhet tërësisht online përmes platformës së IdentiTek.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është anëtarësimi i Shqipërisë në Drejtorinë e Çelësave Publik (DCP) pranë ICAO, çka rrit sigurinë dhe vlefshmërinë ndërkombëtare të pasaportave shqiptare. Dokumentet biometrike do të jenë të verifikueshme automatikisht në pikat kufitare të shumë shteteve, duke garantuar mbrojtje maksimale ndaj falsifikimit dhe duke i afruar standardeve të Bashkimit Europian.