Gjadër, mund të transferohen edhe emigrantë shqiptarë

Ministria e Brendshme e Italisë po harton listën e emigrantëve që do të transferohen në kampin e ngritur në Gjadër, dhe ndër ta mund të përfshihen edhe emigrantë të parregullt me origjinë shqiptare.

Këta janë persona që aktualisht mbahen në qendrat e riatdhesimit në Itali dhe që janë në pritje të dëbimit. Qendrat përkatëse kanë arritur tashmë kapacitetin maksimal, ndaj po përgatitet zhvendosja e një pjese të tyre drejt Shqipërisë.

Departamenti i Lirive Civile dhe Imigracionit ka përzgjedhur profilet më të përshtatshme për transferim. Kombësitë e emigrantëve përfshijnë tunizianë, egjiptianë, marokenë dhe shqiptarë. Në këtë mënyrë, mund të ndodhë që vetë shtetas shqiptarë të parregullt të përfundojnë në Gjadër në pritje të vendimit për pranimin e tyre nga autoritetet shqiptare.

Për ta, riatdhesimi do të ishte më i shpejtë dhe me më pak kosto, pasi mund të qëndrojnë në territorin shqiptar. Ndërsa për të tjerët, protokolli parashikon kthimin në Itali për të përfunduar procedurat e mëtejshme.

Autoritetet italiane po synojnë të përforcojnë marrëveshjet ekzistuese për të shmangur vonesat e gjata në procesin e riatdhesimit dhe qëndrimin e zgjatur të emigrantëve në Shqipëri.