Firmoset marrëveshja për financimin e hekurudhës Durrës–Rrogozhinë, Rama në konferencë me Kallas: Mirë se erdhe, më në fund e mbajte fjalën

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, mbërriti sot në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, pas nënshkrimit të marrëveshjes për financimin e hekurudhës Durrës–Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, u diskutua gjerësisht për bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe BE-së.

Rama e përshëndeti vizitën me tone miqësore:

“Është një nder që të kemi në këtë vizitë të parë në vendin tonë zëvendëspresidenten e këtij Komisioni, Kaja Kallas. Mirë se erdhe në Shqipëri, e dashur Kaja, dhe më në fund e mbajte fjalën. Ma kishe dhënë më herët si përfaqësuese e lartë e vendit tënd. Kemi pasur një takim pozitiv.”

Kryeministri theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-së janë të qëndrueshme dhe pa çështje të hapura. Ai foli edhe për ecurinë e procesit të integrimit:

“Diskutuam për sfidën e madhe të procesit drejt anëtarësimit në BE dhe për një kalendar ambicioz që synon mbylljen e negociatave në vitin 2027. Po ashtu, trajtuam situatën në rajon në një moment kur stabiliteti është thelbësor, pasi të gjitha vendet kanë si synim përbashkët integrimin në BE.”

Rama nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, një temë që, sipas tij, po bëhet gjithnjë e më qendrore në politikën e përditshme të BE-së. Ai përmendi gjithashtu edhe një rritje të ndjeshme të mbështetjes për BE-në ndër qytetarët e vendeve anëtare.

“Siç tregojnë dhe anketat e fundit, që nga viti 1983, mbështetja për Bashkimin Evropian nuk ka qenë kurrë më e lartë,” përfundoi Rama.