
Një 49-vjeçar nga Egjipti, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, është arrestuar në Durrës. Policia bën me dije se arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 36”.
I ndaluari, shtetasi me inicialet W.E., akuzohet për krijimin e një organizate kriminale në Itali, me qëllim trafikun e qenieve njerëzore.
Për këtë shtetas, Gjykata e Katanias në Itali ka lëshuar një urdhër arresti për veprën penale “Trafikimi i qenieve njerëzore”, e kryer në kuadrin e një organizate kriminale. Ligji italian parashikon një dënim maksimal prej 20 vitesh burg për këtë veprimtari.
Operacioni u finalizua si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe autoriteteve italiane, përmes specialistëve të Interpol Tiranës.
Ndërkohë, Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me Interpol Romën për të përmbyllur procedurat e ekstradimit të 49-vjeçarit drejt Italisë.