Rruga Levan–Frakull e Madhe në Fier, Alarm për Sigurinë dhe Mjedisin: Situatë Shqetësuese në Zonën pranë Lagjes së Romëve në Levan

Rruga që lidh Levanin me Frakullën e Madhe në Fier është kthyer në një burim serioz shqetësimi për drejtuesit e automjeteve dhe banorët e zonës. Segmenti që kalon pranë lagjes së komunitetit rom në Levan, aty ku kufizohet me Frakullën, është kthyer në një zonë të rrezikshme, si për sigurinë rrugore, ashtu edhe për ndotjen mjedisore.

Drejtuesit e mjeteve raportojnë se në këtë zonë, shpesh herë në rrugë gjenden xhama të thyer, të cilët rrezikojnë shpimin e gomave dhe krijojnë kushtet për aksidente. Ky fenomen është bërë i përsëritur dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme për qytetarët që përdorin këtë aks rrugor çdo ditë.

Një tjetër problem shqetësues është djegia e mbeturinave në afërsi të rrugës. Era e rëndë dhe tymi i dendur që përhapet nga zjarret e mbeturinave përfshin gjithë zonën përreth, duke ndotur ajrin dhe rrezikuar shëndetin e banorëve.

Banorët dhe përdoruesit e rrugës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet vendore për pastrimin e zonës, ndalimin e djegies së mbeturinave dhe marrjen e masave për rritjen e sigurisë rrugore. Në mungesë të veprimeve konkrete, situata rrezikon të përkeqësohet edhe më tej, duke e kthyer këtë segment të rëndësishëm rrugor në një zonë të pasigurt dhe të pabanueshme.