Radhë automjetesh 1 km e gjatë – Bllokohet aksi rrugor Strugë-Qafthanë për shkak të dëborës

Reshjet e dendura krijojnë kaos në qarkullim, udhëtarët mbeten të bllokuar për orë të tëra

Situatë kaotike është shënuar mbrëmjen e së dielës në aksin rrugor Strugë–Qafthanë, ku reshjet intensive të dëborës kanë bërë që rruga të bëhet e pakalueshme. Si pasojë, qarkullimi është bllokuar plotësisht dhe është krijuar një radhë automjetesh rreth një kilometër e gjatë.

Autoritetet rrugore dhe forcat e rendit ndodhen në terren, por ndërhyrja për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit po vështirësohet për shkak të kushteve të motit dhe ngricave.

Disa automjete kanë mbetur të bllokuara për më shumë se një orë, ndërsa qytetarët raportojnë mungesë informacioni dhe ndihme nga institucionet përgjegjëse.

Drejtuesit e mjeteve këshillohen të shmangin lëvizjet në këtë aks deri në përmirësimin e kushteve atmosferike dhe pastrimin e rrugës nga bora.