Marine Le Pen paralajmëron “katastrofën”: Franca, në rrezik ekzistencial!

Pavarësisht dënimit të ashpër të marrë nga gjyqësori francez, Marine Le Pen deklaroi se nuk do të dorëzohet. Gjatë një fjalimi para mbështetësve në Paris, liderja e ekstremit të djathtë përsëriti akuzat se vendimi i gjykatës ishte i motivuar politikisht dhe jo një akt drejtësie.

“Një falënderim i madh për guximin, bujarinë, këmbënguljen… ju jeni të mrekullueshëm. Unë nuk di të dorëzohem. Ne jemi të përkushtuar ndaj luftës dhe në këtë moment, vetë ekzistenca e Francës është në rrezik,” tha Le Pen.

Ajo u shpall fajtore për përvetësim fondesh nga Bashkimi Evropian dhe u dënua me katër vite burg, dy prej të cilave me kusht. Gjykata vendosi gjithashtu që Le Pen të mos kandidojë për poste publike për pesë vitet e ardhshme – një goditje e rëndë për aspiratat e saj, ndërkohë që kryesonte sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Avokati i saj ka njoftuar se çështja do të çojë në apel. Sipas historianit Pierre Allorant nga Universiteti i Orleanit, e vetmja mundësi për Le Pen që të marrë pjesë në zgjedhje është që procesi i apelimit të mbyllet shpejt.