Izraeli nderon Edi Ramën me medaljen presidenciale – Herzog: Kodi shqiptar i besës ndihet edhe këtu

Presidenti izraelit shpreh mirënjohje për mbështetjen ndaj popullit hebre dhe rolin historik të shqiptarëve gjatë Holokaustit

Kryeministri Edi Rama është nderuar sot me medaljen presidenciale nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog. Ky është urdhri më i lartë civil që jepet nga shteti izraelit dhe i është akorduar për kontributin e veçantë të Ramës dhe popullit shqiptar në mbështetje të popullit hebre.

Gjatë një konference të përbashkët për mediat, presidenti Herzog theksoi vlerat historike dhe humane të kombit shqiptar, duke nënvizuar rolin e tyre gjatë Holokaustit.

“Është një nder i madh t’ju uroj mirëseardhjen në rezidencën presidenciale dhe t’ju dorëzoj medaljen presidenciale të nderit të Izraelit. Kjo medalje nderon ata që kanë ndriçuar botën me udhëheqje të jashtëzakonshme dhe që kanë treguar miqësi të guximshme me popullin hebre,” deklaroi Herzog.

Ai vlerësoi gjithashtu kodin shqiptar të besës, duke e quajtur “një betim i shenjtë për nderin dhe mbrojtjen e jetës njerëzore”. Sipas tij, kjo ndjenjë fisnike ka udhëhequr shqiptarët, të cilët gjatë Holokaustit u bënë simbol i kurajos dhe nderit, duke u ofruar strehë hebrenjve që shpëtonin nga përndjekja naziste.

“Kjo thirrje për integritet dhe nder që vjen nga populli juaj, gjen jehonë të fuqishme edhe në udhëheqjen tuaj sot,” u shpreh presidenti izraelit.