
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, është tërhequr nga kërkesa e paraqitur në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për heqjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”, lidhur me hetimet për aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI në SHBA.
Kryemadhi kishte dorëzuar disa ditë më parë një kërkesë zyrtare për ndryshimin e masës së sigurisë, por në seancën e kësaj të hëne, përmes avokatit të saj, ajo u tërhoq nga kërkesa.
Si pasojë, gjyqtari Erjon Çela vendosi mospranimin e kërkesës, duke konstatuar se ajo kishte mbetur pa objekt.
Monika Kryemadhi dhe bashkëshorti i saj, Ilir Meta, janë nën hetim për tre akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të pasurisë. Hetimi lidhet me çështjen CEZ-DIA si dhe lobimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autoritetet kanë nisur gjithashtu hetime pasurore ndaj tyre.