
Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e sotme në Prishtinë, ku një zyrtar policor është gjetur pa shenja jete në banesën e tij. Viktima është identifikuar si Alban Tolaj, 47 vjeç, dhe sipas raportimeve të para dyshohet për vetëvrasje.
Policia ka njoftuar se rreth orës 14:45 është pranuar informacioni për një trup të pajetë në rrugën “Ahmet Korenica”. Menjëherë pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, ekipi i policisë dhe mjekët emergjentë kanë konstatuar vdekjen e tij.
“Edhe pse të dhënat fillestare sugjerojnë për vetëvrasje, në koordinim me prokurorinë po zhvillohen hetime të hollësishme për të ndriçuar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Më pas është konfirmuar se viktima ishte babai i moderatores dhe këngëtares së njohur, Elsa Tolaj. Lajmi ka tronditur opinionin publik dhe komunitetin artistik në Kosovë.