Tubacionet e çara lënë në mëshirë të fatit banorët e fshatit Varibop, lagjja Lulaj – Rrezikohen edhe banesat

Tubacionet e çara lënë në mëshirë të fatit banorët e fshatit Varibop, lagjja Lulaj – Rrezikohen edhe banesat

Prej më shumë se gjashtë muajsh, banorët e lagjes Lulaj në fshatin Varibop, njësia administrative Cakran, po përballen me një situatë alarmante: çarje të tubacioneve të ujësjellësit, të cilat kanë shkaktuar rrjedhje të vazhdueshme uji dhe rrezikojnë seriozisht stabilitetin e banesave.

Pavarësisht ankesave të përsëritura, ndërhyrja nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Fier ka munguar totalisht. Banorët shprehen të revoltuar nga neglizhenca institucionale, ndërsa uji që rrjedh prej muajsh ka filluar të dëmtojë themelet e disa shtëpive.

“Nga kjo gjendje po na rrëshqasin shtëpitë. Nuk e dimë si do të përfundojë. Kemi bërë dhjetëra ankesa, por askush nuk reagon,” – u shpreh një prej banorëve.

Fshati Varibop kërkon zgjidhje urgjente për problemin, pasi situata jo vetëm që dëmton pronat, por përbën një rrezik real për jetën e qytetarëve që banojnë aty. Ndërkohë, institucionet heshtin, duke lënë komunitetin përballë pasojave të rënda që vijnë nga mungesa e mirëmbajtjes bazë.