Kryepeshkopi Joani rrëfen për herë të parë: Pse u ktheva në Shqipëri dhe çfarë më tha Anastas para 10 vitesh

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi, ka dhënë një intervistë për mediat greke ku ka ndarë rrëfimin e tij personal për jetën, besimin dhe rikthimin në Shqipëri pas rënies së komunizmit.

Ai ka treguar se për herë të parë ka rënë në kontakt me Ungjillin në shkollën e mesme, kur një mik i familjes i dha një libër në frëngjisht – pa e ditur se ishte Ungjilli. Ky moment, tha ai, i ndryshoi jetën përgjithmonë dhe ndezi në shpirtin e tij një dëshirë të thellë për të ndjekur rrugën e besimit.

Joani rrëfen se ishte rritur në një familje të madhe me tetë fëmijë, dhe se mungesa e lirisë fetare gjatë regjimit komunist e shtyu të largohej nga Shqipëria drejt Italisë dhe më pas SHBA-ve, ku kreu studimet në Teologji në Boston. Ai theksoi se dëshira për të kontribuar në ringritjen e Kishës Ortodokse në Shqipëri ishte arsyeja që vendosi të rikthehej, edhe pse shumë mendonin se kush largohej drejt Perëndimit nuk do të kthehej më.

Gjatë studimeve në SHBA, ai kishte rënë në kontakt me Kryepeshkopin Anastas, i cili e ftoi të merrte pjesë në kurorëzimin e tij në Tiranë në vitin 1992. “Ky është vendi ku kam lindur dhe jam rritur,” u shpreh Kryepeshkopi Joani. “Amerika nuk kishte nevojë për mua, por Shqipëria po.”

Ai u kthye në Shqipëri në vitin 1993, qëndroi për dy vite dhe më pas përfundoi studimet në SHBA, për t’u rikthyer përfundimisht dhe për të qëndruar pranë Kishës shqiptare për mbi tre dekada. “Për më shumë se tridhjetë vite kam qenë krah Kryepeshkopit Anastas. Ai ishte dhe mbetet shembulli më i mirë i një kleriku ortodoks,” tha Joani, duke theksuar se vendimi për t’u rikthyer ishte ndër më të rëndësishmit në jetën e tij.