Aksi Fier–Cakran në gjendje alarmante, drejtuesit e mjeteve të shqetësuar: Asnjë ndërhyrje nga autoritetet

Aksi rrugor Fier–Cakran vijon të jetë në një gjendje alarmante, duke përbërë një rrezik të përhershëm për drejtuesit e automjeteve. Pavarësisht qarkullimit të përditshëm dhe rëndësisë që ka ky segment për zonën, autoritetet përkatëse duket se kanë mbyllur sytë ndaj problemeve serioze që e shoqërojnë këtë rrugë.

Dëmtimi i barrierave mbrojtëse në disa pjesë të rrugës, mungesa e sinjalistikës horizontale dhe vertikale si dhe amortizimi i theksuar i shumë segmenteve, janë vetëm disa nga shqetësimet që ngrejnë përdoruesit e kësaj rruge.

Drejtuesit e mjeteve shprehen se janë të detyruar të rrezikojnë çdo ditë, pasi kushtet aktuale të rrugës jo vetëm dëmtojnë mjetet, por rrisin ndjeshëm mundësinë për aksidente.

Ndërkohë, firmat kontraktuese apo institucionet përgjegjëse për mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor nuk kanë marrë ende masa konkrete. Banorët dhe drejtuesit kërkojnë reagim të menjëhershëm për të shmangur pasoja më të rënda dhe për të garantuar sigurinë në qarkullim.