Rreth një vit në arrati, arrestohet ish-efektivi i RENEA-s për kultivimin e drogës
Ka përfunduar arratia e ish-efektivit të RENEA-s, Altin Morina, i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme nga shërbimet e Komisariatit nr.2 në Tiranë, pas një viti të plotë në kërkim. Në momentin e arrestimit, Morina ishte në shoqërinë e një personi tjetër, i cili gjithashtu u shoqërua nga policia.
Altin Morina u shpall në kërkim më 17 maj 2024, si pjesë e hetimeve të operacionit “Revanshi”, i cili kishte si objekt hetimi aktivitetet e paligjshme të lidhura me kultivimin e bimëve narkotike. Sipas dosjes së SPAK, gjatë hetimit u grumbulluan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshime të forta se Morina, në bashkëpunim me Durim Bamin, ishin të përfshirë në organizimin dhe kultivimin e kanabisit në zonat e Niklës dhe Tapizës, gjatë viteve 2019-2020.
Në mars të vitit 2023, Morina u arrestua pasi në makinën me të cilën po lëvizte u gjetën 113 mijë euro, të fshehura poshtë sediljes së parë të automjetit. Pas arrestimit, ai dha një version se shumën e parave e kishte marrë hua nga një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk kishin lidhje me aktivitetin kriminal. Megjithatë, një muaj më vonë, ai u lirohet nga qelia.
Në kuadër të hetimeve për operacionin “Revanshi”, Morina akuzohet për përfshirje në aktivitete të jashtëligjshme dhe bashkëpunim me grupe kriminale për kultivimin e kanabisit.
