Pas ankesave të vazhdueshme të qytetarëve në redaksinë e StarChannel, për zaptimin e hapësirave publike të parkimit në qytetin e Fierit, vihet në pah një problem serioz që po shqetëson komunitetin: përdorimi i parkimeve publike si tregje të improvizuara për shitjen e makinave.

Hapësirat publike në Fier të pushtuara nga tregtarët e makinave – qytetarët kërkojnë ndërhyrje, StarChannel sjell shqetësimin në vëmendje të institucioneve

Pas ankesave të vazhdueshme të qytetarëve në redaksinë e StarChannel, për zaptimin e hapësirave publike të parkimit në qytetin e Fierit, vihet në pah një problem serioz që po shqetëson komunitetin: përdorimi i parkimeve publike si tregje të improvizuara për shitjen e makinave.

Qytetarët kanë denoncuar faktin se shumë prej hapësirave të dedikuara për parkim publik janë bllokuar në mënyrë të paligjshme nga persona të ndryshëm, të cilët i shfrytëzojnë ato për ekspozimin dhe shitjen e automjeteve, duke e kthyer këtë aktivitet në një biznes të mirëfilltë në zemër të qytetit.

“Është e papranueshme që parkimet për banorët të jenë të zëna çdo ditë nga makina që janë për shitje. Ne nuk kemi ku të parkojmë vetë, ndërkohë që pronarët e këtyre makinave përfitojnë pa asnjë kontroll,” shprehen të indinjuar qytetarët përmes redaksisë sonë.

StarChannel i bën thirrje institucioneve përgjegjëse, veçanërisht Policisë Bashkiake të Fierit, që të marrin masa konkrete dhe të menjëhershme për lirimin e hapësirave publike dhe për ndalimin e këtij fenomeni që jo vetëm krijon kaos në qytet, por shkel të drejtat e qytetarëve për akses të lirë në hapësira të përbashkëta.

Në këtë situatë, kërkohet jo vetëm ndërhyrje urgjente për pastrimin e zonave të uzurpuara, por edhe zbatimi i rregullave të qarta që do të ndalonin përsëritjen e këtij fenomeni në të ardhmen.

Redaksia e StarChannel do të vijojë të ndjekë nga afër këtë problematikë dhe do të mbajë në vëmendje çdo zhvillim të mëtejshëm, duke qenë zëri i qytetarëve në përballje me abuzimet urbane