Një sulm kibernetik ndaj email-eve të prokurorëve të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka ekspozuar materiale të ndjeshme hetimore që lidhen me emra të njohur në politikë dhe biznes. Burime bëjnë me dije se janë hakeruar dokumente nga tre dosje të rëndësishme në hetim nga SPAK-u, të cilat më pas janë shpërndarë në mënyrë anonime te disa gazetarë dhe redaksi mediatike.
Sipas informacioneve të deritanishme, bëhet fjalë për dosje që përfshijnë:
- Ish-ministrin dhe deputetin e Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri
- Pronarin e rrjetit privat spitalor “Spitali Amerikan”, Klodian Allajbeu
- Ornela Imeraj, e njohur si një person i afërt dhe bashkëpunëtore e Allajbeut
Ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga SPAK në lidhje me përmbajtjen e dokumenteve të hakeruara, por mësohet se menjëherë pas ngjarjes, institucioni ka kërkuar nga mediat të mos publikojnë asnjë informacion nga këto materiale, për të mbrojtur sekretin hetimor dhe integritetin e proceseve në vijim.
Ndërkohë, dyshime të forta janë ngritur për qëllimet e këtij sulmi kibernetik, si dhe për identitetin e personave që qëndrojnë pas tij. Sipas spekulimeve të përhapura në qarqe politike dhe mediatike, mund të bëhet fjalë për një përpjekje për të ndikuar në zhvillimet e brendshme brenda Partisë Socialiste, përmes ekspozimit të materialeve komprometuese që lidhen me figura të ndryshme të lidhura me pushtetin.
Gjithashtu, është përmendur edhe emri i një ish-ministri të Brendshëm, i cili dyshohet të ketë lidhje me persona të përfshirë në sulmin ndaj sistemit të email-eve të SPAK, por deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për këto pretendime.
Ky zhvillim ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e informacionit brenda institucioneve të drejtësisë dhe ka rindezur debatin për ndërhyrjet politike në sistemin e hetimeve penale në Shqipëri
