Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, ka deklaruar sot se qeveria amerikane është në fazën përfundimtare të arritjes së një marrëveshjeje për blerjen e TikTok, përpara afatit të 5 prillit.

SHBA drejt marrëveshjes për TikTok, Vance: Do të finalizojmë blerjen para 5 prillit

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, ka deklaruar sot se qeveria amerikane është në fazën përfundimtare të arritjes së një marrëveshjeje për blerjen e TikTok, përpara afatit të 5 prillit.

Në një deklaratë për mediat, Vance theksoi se negociatat po ecin me ritme të shpejta dhe se vendimi final do të shpallet së shpejti.

“Mendoj se jemi në një pozicion të mirë. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje. Kemi edhe disa ditë për të finalizuar disa detaje dhe sigurisht që presidenti do të shpallë vendimet tona,” – u shpreh ai.

Kush janë blerësit e mundshëm të TikTok?

Lista e blerësve të mundshëm për operacionet e TikTok në SHBA është zgjeruar ndjeshëm në 24 orët e fundit, ndërsa afati i vendosur nga qeveria amerikane për ndalimin e platformës nëse ajo nuk blihet, po afrohet.

Washingtoni ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e të dhënave dhe marrëdhëniet e TikTok me qeverinë kineze. Megjithatë, si TikTok ashtu edhe kompania mëmë ByteDance kanë mohuar vazhdimisht çdo lidhje me autoritetet e Pekinit.

Nëse marrëveshja për blerjen nuk finalizohet brenda afatit, TikTok mund të përballet me ndalimin e plotë të operacioneve në SHBA, një vendim që ka shkaktuar debate të shumta si në politikë ashtu edhe në industrinë teknologjike.