
Rruga Risili-Llakatund në gjendje të rëndë, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente
Vlorë – Rruga Risili-Llakatund, që lidh disa fshatra të njësisë administrative Llakatund me qytetin e Vlorës, është dëmtuar rëndë si pasojë e qarkullimit të kamionëve të tonazhit të rëndë që transportojnë zhavorr dhe materiale ndërtimi.
Banorët e zonës janë shprehur të revoltuar për gjendjen e rrugës, e cila ka pësuar dëmtime serioze në asfalt, duke krijuar gropa të thella dhe vështirësi në qarkullim. Ata thonë se mungesa e mirëmbajtjes dhe kalimi i shpeshtë i mjeteve të rënda e ka kthyer rrugën në një rrezik për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët.
“Kjo rrugë është bërë pothuajse e pakalueshme. Kamionët që transportojnë zhavorr e kanë dëmtuar tërësisht, dhe askush nuk merr masa. Ne e kemi denoncuar disa herë këtë problem, por deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga autoritetet,” – tha një nga banorët e zonës.
Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë Vlorë dhe institucioneve përgjegjëse që të marrin masa për riparimin e rrugës dhe vendosjen e kufizimeve për mjetet e rënda, për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të infrastrukturës.
Ndërkohë, nuk ka ende një reagim zyrtar nga autoritetet për këtë problem, ndërsa situata po rëndohet çdo ditë, duke krijuar vështirësi të mëdha për banorët që e përdorin këtë rrugë për aktivitetet e tyre të përditshme.