
Një grup ishujsh të pabanuar vullkanikë pranë Antarktidës, të mbuluar nga akulli dhe të njohur si habitat i pinguinëve, janë bërë pjesë e luftës tregtare të Donald Trump. Presidenti amerikan ka vendosur një tarifë prej 10% për mallrat nga këto ishuj, pavarësisht se ato nuk kanë asnjë banor dhe nuk janë qendër prodhimi.
Ishulli Heard dhe Ishujt McDonald, që përbëjnë një territor të jashtëm të Australisë, janë ndër zonat më të largëta të Tokës, të arritshme vetëm pas një udhëtimi dyjavor me anije nga Perth, në bregun perëndimor të Australisë. Këto ishuj janë të pabanuar, me vizitën e fundit njerëzore të regjistruar rreth 10 vite më parë.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë i ka përfshirë ishujt në listën e vendeve që do të preken nga tarifat e reja tregtare, një veprim që ka shkaktuar habi dhe reagime të ndryshme. The Guardian raporton se qeveria australiane është befasuar nga ky vendim, ndërsa Kryeministri Anthony Albanese deklaroi: “Asnjë vend në Tokë nuk është i sigurt”.
Në listën e tarifave të reja, Ishulli Heard dhe Ishujt McDonald janë të përfshirë veçmas si një “territor i jashtëm” i Australisë, duke u bërë zyrtarisht pjesë e politikave të reja tregtare të administratës Trump.