
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një komentuesi në rrjetet sociale, i cili ka pohuar se shqiptarët po e përdorin ende TikTok-un përmes VPN-së, pavarësisht ndalimit të platformës në vend.
Gjatë rubrikës së tij të zakonshme “Sy më sy”, Rama e quajti këtë praktikë “një turp të madh”, duke paralajmëruar qytetarët se përdorimi i TikTok-ut në këtë mënyrë rrezikon sigurinë e të dhënave personale.
“Duhet shumë kujdes sepse ky rrjet është i hapur për marrjen në kohë reale të të dhënave tuaja. Përdorimi i tij me VPN është njësoj si t’i ndash me të tjerët fjalëkalimin ose informacionet personale”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se ndalimi i TikTok-ut nuk është çështje politike apo ideologjike, por një masë sigurie, pasi mënyra se si operon ky rrjet social në Shqipëri është shumë e rrezikshme.
Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për të kufizuar aksesin në TikTok, duke u bashkuar me vendime të ngjashme të disa vendeve perëndimore, të cilat kanë shprehur shqetësime për privatësinë dhe mbledhjen e të dhënave nga aplikacioni.