E rëndë në Itali! Studente 21-vjeçare humb jetën nga një reaksion alergjik pasi konsumoi një sanduiç

Romë – Një ngjarje tragjike ka ndodhur në kryeqytetin italian, ku një studente amerikane ka ndërruar jetë si pasojë e një reaksioni të rëndë alergjik pasi konsumoi një sanduiç të blerë në një restorant.

E reja Avarie Anne Tierney, 21 vjeç, e cila kishte alergji ndaj arrave shqeme (cashews), ndodhej në zonën Pigneto së bashku me disa miq në një qendër studentore, kur papritur nisi të ndihej keq pas konsumimit të ushqimit. Ajo pësoi një shok anafilaktik dhe u rrëzua në tokë.

Fillimisht, shokët e saj arritën ta ndihmonin duke e kthyer në banesë dhe duke i administruar një dozë Bentelan, një medikament kundër reaksioneve alergjike. Megjithatë, gjendja e saj u përkeqësua dhe ajo pësoi një arrest kardiak. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i dhënë ndihmë të specializuar dhe për ta reanimuar, 21-vjeçarja nuk arriti të mbijetojë.

Sipas raportimeve të autoriteve italiane, dyshohet se studentja nuk i kishte njoftuar kamerierët e restorantit për alergjinë e saj, ndoshta për shkak të barrierës gjuhësore, pasi nuk fliste italisht.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim për të zbuluar më shumë detaje mbi ngjarjen, ndërsa po priten edhe rezultatet e autopsisë për të konfirmuar shkakun e saktë të vdekjes.