
Një 35-vjeçar është rrëmbyer ditën e sotme në vendparkimin e një lokali, përgjatë aksit rrugor “Lezhë-Milot”, pas një konflikti në ambientet e brendshme të lokalit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30, kur tre persona, pas një sherri fizik, kanë dhunuar dhe më pas kanë marrë forcërisht në automjet shtetasin Dod Gjoka. Mësohet se ai sapo kishte ndaluar makinën në parkingun e lokalit kur është rrëmbyer nga tre autorët.
Menjëherë pas raportimit të ngjarjes, policia vendosi pika kontrolli në akset kryesore drejt Tiranës, Shkodrës dhe Kukësit. Nën presionin e kontrolleve të shumta, autorët u detyruan ta linin të lirë 35-vjeçarin, duke e braktisur atë në një zonë të afërt.
Dod Gjoka aktualisht ndodhet në spitalin e Lezhës, ku po merr ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, ai është jashtë rrezikut për jetën.
Policia vijon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar të pengmarrjes.