
Berisha thirrje të rinjve: Këto 39 ditë, luftë për rrëzimin e diktaturës!
Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar sot programin e Partisë Demokratike përpara të rinjve, duke i bërë thirrje që 39 ditët e mbetura deri në zgjedhje t’i kthejnë në një betejë për rrëzimin e asaj që ai e quan “diktatura e dytë”.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi rëndësinë e vendimeve që ndryshojnë jetën dhe historinë e një kombi. Ai ndau një histori personale për vendimin e tij për t’u përfshirë në politikë pas të 40-tave, duke sfiduar diktaturën komuniste.
“Vendimi është arma më e fuqishme e njeriut. Jeta jonë është një seri vendimesh. Unë isha mjek, kisha një karrierë të sigurt, por mora vendimin të përballem me diktaturën. Ai vendim e ndryshoi jetën time dhe ndikoi në fatin e Shqipërisë,” tha Berisha.
Ai përmendi rolin e Azem Hajdarit dhe mijëra studentëve të dhjetorit 1990, të cilët, sipas tij, morën vendime që transformuan historinë e vendit.
“Vendimet transformojnë fate, transformojnë kohërat, kombet dhe të ardhmen e një vendi. Ju sot keni mundësinë të merrni vendimin për të luftuar kundër regjimit të Edi Ramës dhe për të sjellë ndryshimin që Shqipëria meriton,” përfundoi ai.