Berisha: “Kemi tokën më pjellore” – Akuzon qeverinë dhe premton mbështetje për bujqësinë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me banorët e Baldushkut, ku prezantoi programin e tij për bujqësinë dhe akuzoi qeverinë se ka neglizhuar këtë sektor jetik.

Gjatë bashkëbisedimit, Berisha u shpreh se bujqësia do të jetë prioritet kryesor nëse opozita fiton zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ai theksoi se Shqipëria ka një tokë jashtëzakonisht pjellore, por mungesa e mbështetjes nga qeveria ka penguar zhvillimin e këtij sektori.

“Asnjë sektor nuk është më i rëndësishëm se bujqësia. Shqipëria mund të ketë sipërfaqe të kufizuar bujqësore, por ka një tokë shumë pjellore dhe me burime të mjaftueshme uji. Vetëm për shkak të neglizhencës së qeverisë, ky potencial nuk është shfrytëzuar siç duhet. Ndaj, për ne, bujqësia është një përparësi madhore,” – deklaroi Berisha.

Sipas tij, qeveria aktuale e ka harruar fermerin shqiptar, duke mos ofruar mbështetje të mjaftueshme dhe duke i lënë prodhuesit vendas në vështirësi përballë konkurrencës së tregut. Ai premtoi investime të mëdha në bujqësi dhe politika që do të ndihmojnë fermerët të zhvillojnë aktivitetin e tyre.