
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me ndërhyrjen në e-mail-et e prokurorëve të SPAK, duke e cilësuar atë si një përplasje mes klaneve mafioze brenda Partisë Socialiste.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se autoritetet po tentojnë t’ia faturojnë këtë sulm kibernetik ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Ai e ironizoi këtë situatë duke iu drejtuar Xhafajt me fjalët:
“Po i vijnë rrotull dhe po e akuzojnë se ka hakëruar kompjuterët e SPAK për të manipuluar edhe dosjen time. Unë i them Fatmirit, publikojeni sa ta gjeni sepse është publike!”
Sipas Berishës, ky hakërim është një shenjë e mungesës së sigurisë në institucionet e drejtësisë dhe një tregues i kontrollit që kryeministri Edi Rama ushtron mbi SPAK-un.
“Dikur, dosjet para se të shkonin në gjykatë, shkonin te Partia Socialiste. Tani hakërohen. A është hakërim apo vetëhakërim? Kjo është një çështje shumë e rëndë! Qytetarë, të gjitha të dhënat tuaja po vidhen dhe manipulohen!” – tha Berisha.
Ai e krahasoi situatën me polemikat mbi statuset e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke pretenduar se dikur ato përgatiteshin nga Rama, ndërsa tani hakërimi po përdoret për të goditur figura të caktuara brenda PS-së.
“Të njëjtën skemë po përdorin edhe tani. Një operacion i dyshimtë, ashtu siç ishin statuset në Facebook të Veliajt. Qytetarët po kuptojnë çdo ditë kontrollin fatal të drejtësisë nga Rama!” – përfundoi Berisha.