T’ka shitur motra, do të vrasin në Spanjë” – Xhovana Nikolli: SPAK më ndaloi në Rinas, po më përçan me familjen

 

Pak ditë pas kontrollit të ushtruar nga Prokuroria e Posaçme në banesën e saj, ku u sekuestruan telefonat e saj, të motrës dhe prindërve, Xhovana Nikolli ka reaguar sërish në rrjetet sociale.

Në një video të postuar online, ku shfaqet së bashku me motrën e saj, ajo akuzon SPAK-un se po përpiqet të krijojë përçarje mes tyre. Nikolli pretendon se është ndaluar në aeroportin e Rinasit nga prokurorë të SPAK-ut dhe se i kanë thënë të mos udhëtojë drejt Spanjës, pasi motra e saj e ka “shitur” dhe se atje do ta vrasin.

“SPAK po fut intriga mes motrave. Turp t’ju vijë, çfarë shteti kemi! Më bënë pritë në aeroport dhe më thanë: ‘Mos ik në Spanjë se motra të ka shitur, do të vrasin!’ Këto ishin fjalët e SPAK-ut! Mbroni kriminelët dhe doni të shkatërroni familjen tonë… Jam e gatshme për çdo gjë deri në fund,” shprehet ajo në video.

Lidhja me Nuredin Dumanin dhe akuzat

Më herët, motrat Nikolli kanë hedhur akuza ndaj të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Alda Nikolli, motra e Xhovanës, ka dëshmuar në SPAK .duke pretenduar se kishte një lidhje të ngushtë me Dumanin. Ajo ka deklaruar se komunikonte rregullisht me të përmes Skype nga qelia dhe ka rrëfyer detaje nga bisedat e tyre.

Sipas saj, shpërthimi me tritol në derën e banesës ku ajo jetonte, ku mbeti viktimë fqinji i tyre, Enea Themollari, ishte i urdhëruar nga Dumani, pasi ajo kishte dëshmuar në SPAK.

Lidhja e Xhovana Nikollit me Amarildo Nikollin

Xhovana Nikolli është e dashura e Amarildo Nikollit, një emër i njohur në botën e krimit dhe aktualisht i arrestuar. Nikolli ka pranuar të bashkëpunojë me autoritetet dhe ka dhënë informacione kyçe për ngjarje kriminale të ndodhura në Vlorë, Tiranë dhe Shkodër. Ai ka përmendur emra të njohur të botës së krimit dhe dëshmia e tij po ndihmon në zbardhjen e disa atentateve të bujshme të viteve 2020-2023.

Emri i Amarildo Nikollit u bë publik pasi u kap në Vlorë gjatë sezonit turistik të vitit 2023, i armatosur me një pistoletë me silenciator dhe fishek në fole, gati për qitje. Ai dyshohej se kishte ardhur nga Italia për të kryer një vrasje me pagesë ndaj Inez Hajrullah.