
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare gjatë një takimi të përbashkët me Sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, dhe të dërguarën e Posaçme për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce.
Në postimin e tij në Facebook, Kurti shprehu mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar ka ofruar gjatë të gjitha fazave të shtetndërtimit të Kosovës.
“Diskutuam për progresin demokratik dhe zhvillimin ekonomik që ka arritur vendi ynë gjatë këtij mandati qeverisës, si dhe për objektivat dhe synimet kryesore të Kosovës për anëtarësim në NATO, Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Gjithashtu, i urova Mbretërisë së Bashkuar për pritjen e Samitit të Procesit të Berlinit këtë vit dhe ofrova bashkëpunimin tonë për të siguruar suksesin e këtij samiti,” shkroi Kurti.