
Të tjera detaje janë zbardhur mbi vrasjen tragjike të 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, në Itali. Ish-i dashuri i saj filipinas ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka rrëfyer se si ndodhi ngjarja. Ai e goditi disa herë me thikë në apartamentin ku ishin takuar, përpara se ta fuste trupin në një valixhe dhe të përpiqej ta zhdukte. Sipas tij, konflikti i fundit mes tyre, pasi Ilaria i kishte kërkuar ndarjen, ishte arsyeja e vrasjes.
Ndërkohë, vëllai i viktimës, Leon Sula, ka treguar se e ka takuar për herë të fundit dy javë më parë, kur ajo kishte shkuar për ta vizituar në Terni. Ai tha se motra nuk kishte folur për ndonjë problem me të dashurin e saj dhe dukej e qetë.
“Nuk mund ta shpjegojmë. Pse e bëri? Nuk e kuptojmë, vetëm ai e di. Herën e fundit fola me motrën dy javë më parë kur erdhi në Terni. Ishte e qetë dhe nuk më tha asgjë për problemet. Pas kësaj, kemi komunikuar vetëm me mesazhe. Të dashurin e saj e njihja, ishin bashkë për një vit, por më pas u ndanë,” u shpreh Leon Sula.
Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e krimit.