
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) publikoi këtë të mërkurë raportin vjetor për 2024-ën, duke evidentuar progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në raportin e dorëzuar në Kuvend, SPAK njofton se gjatë vitit të kaluar ka hetuar 33 ish-zyrtarë të lartë, ndërsa 19 prej tyre janë çuar për gjykim.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
SPAK raporton se ka identifikuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, nga të cilat 10 janë shkatërruar plotësisht. Këto grupe operonin kryesisht në Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë, duke u përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, pastrimin e parave dhe aktivitete të tjera kriminale.
“Organizatat kriminale funksionojnë mbi baza familjare dhe miqësore, kanë struktura të mirëorganizuara dhe përdorin metoda të sofistikuara për të shmangur ndjekjen penale, si komunikimet e koduara SKY ECC dhe pastrimi i parave përmes kriptovalutave,” thuhet në raport.
SPAK vëren një rritje me 18.8% të regjistrimeve të procedimeve penale për krimin e organizuar në krahasim me vitin 2023, ndërsa numri i personave të hetuar për këto çështje është rritur me 21.6%. Megjithatë, për shkak të kompleksitetit të rasteve, ka pasur një rënie prej 7.3% të çështjeve të çuara në gjykatë.
Presioni nga politika dhe krimi
Një ndër problematikat kryesore të evidentuara në raport është presioni i jashtëm ndaj SPAK-ut nga aktorë politikë, kriminalë dhe mediatikë, që cenojnë pavarësinë dhe efektivitetin e hetimeve. Në raport theksohet nevoja për një mbështetje më të madhe institucionale për të garantuar pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme.
Pasuritë e konfiskuara
SPAK ka publikuar edhe listën e pasurive të konfiskuara gjatë vitit 2024:
- 17 pasuri të paluajtshme
- Vlera monetare të konfiskuara:
- 395,000 Lekë
- 38,000 Euro
- Pasuri të luajtshme të konfiskuara:
- 2 automjete
- Subjekte tregtare të konfiskuara:
- 7 subjekte tregtare, nga të cilat 6 të sekuestruara plotësisht
Vlera e përgjithshme e pasurive të konfiskuara vlerësohet rreth 27,202 Euro dhe 510,825,564 Lekë.
Prioritetet për vitin 2025
SPAK synon të përfundojë ngritjen e sistemit të administrimit të çështjeve (Case Management System), i cili është pezulluar pas përfundimit të projektit mbështetës të ICITAP dhe pritet të financohet nga BE-ja. Po ashtu, planifikohet ngritja e një njësie të specializuar analize për mbështetjen e hetimeve komplekse dhe raportimeve ndërkombëtare.